TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf u shpreh sot se, është shumë e rëndësishme që mandati i institucioneve të pavarura dhe përgjegjëse të vetingut, të zgjatet, në mënyrë që procesi i verifikimit të përmbyllet sa më shpejt.
Në një deklaratë për mediet, ambasadori Zingraf u shpreh se, “procesi i reformave në sektorin e drejtësisë është vendimtar për aspiratat e Shqipërisë lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.
“Verifikimi i gjykatësve dhe prokurorëve është një element kyç në këtë kontekst. Ndaj për vendin është shumë e rëndësishme që mandati i institucioneve të pavarura dhe përgjegjëse të Vetingut, i cili përfundon në qershor, të zgjatet, në mënyrë që procesi i verifikimit të përmbyllet sa më shpejt”, theksoi Zingraf.
“Qeveria dhe opozita kanë përgjegjësinë e përbashkët për të rritur sundimin e ligjit, duke u mundësuar kështu qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë të ecin më tej në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.
/r.e/













