TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi deklaroi sot se “Saimir Tahiri nuk është i fundit, ai është vetëm i pari në listën e gjatë të atyre që do të përballen me drejtësinë për krimin, korrupsionin e trafiqet që me Ramën në krye e shndërruan Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe vendin më të korruptuar në Europë.
Bardhi shprehet se “Edi Rama mbrojti Saimir Tahirin sepse është edhe vetë i kapur ‘kokë e këmbë’ nga krimi. Edi Rama nuk thotë dot asnjë fjalë sepse ai e di që të gjitha fijet e krimit dhe trafiqeve lidhen te ai. Ai kishte të gjithë informacionin nga institucionet shqiptare dhe partnerët, por e mbrojti Sajmir Tahirin dhe ministrat e tjerë të tij sepse ishte ai garanti i krimineleve të cilët i siguronin vota”.
“Me një drejtësi të pavarur Rama sot nuk do të ishte kryeministër po do të ishte më e pakta nën hetim për kanabizimin e Shqipërisë, korrupsionin, kriminalizimin e shtetit, inceneratorët etj. Ska asnjë dyshim që Rama do bënte të njëjtën gjë për reformën në drejtësi sepse kështu ai shpreson të fitojë amnisti për veten e tij. PD ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të SPAK dhe pret që ajo të veprojë me vendosmëri e pa u ndalur ndaj kujdo që ka shkelur ligjin dhe e ka shndërruar Shqipërinë në vendin më të korruptuar të Europës, në vendin ku kriminelët që duhet të ishin në burg, janë në qeverisje të vendit”, deklaroi Bardhi.
Më herët reagoi edhe deputeti i PD, Ervin Salianji i cili tha se “dënimi i ministrit të Brendshëm më të vlerësuar e më të përkëdhelur të Edi Ramës, është prova e plotë dhe e madhe se Shqipëria nën qeverisjen e Rilindjes u kthye në parajsën e drogës”.
Në një deklaratë për mediet, Salianji theksoi se, “nën drejtimin e Tahirit dhe me bekimin e Edi Ramës, skenari i kanabizimit u bë një realitet i frikshëm duke mbledhur rreth këtij procesi bandat e krimit të organizuar”.
“E kemi denoncuar me mijëra herë kanabizimin e Shqipërisë, lidhjet e Ramës me krimin, përdorimin e kriminelëve për të grumbulluar vota dhe më pas dorëzimin e sovranitetit të shtetit në duart e bandave dhe krimit të organizuar. Depërtimi I bandave deri në strukturat më të larta të shtetit, abuzimi me pushtetin, dhunimi dhe grabitja e qytetarëve është fakt dhe paralajmëron që dënimi i Tahirit është vetëm fillimi, nisja e rrugëtimit të ndëshkimit të abuzuesve me pushtetin. Ai është dhe duhet të jetë i pari në një listë të gjatë të drejtuesve të rilindjes”, tha Salianji.
Salianji shtoi se, “koha i dha të drejtë Partisë Demokratike. Shpallja fajtor e ministrit të Ramës dhe zbardhja e lidhjeve të tij me bandat e krimit të organizuar të trafikut të drogës, janë prova se PD kishte të drejtë në denoncimet e saj. Nëse do të ishin dëgjuar në kohën e duhur, sot Shqipëria nuk do ishte në këtë situatë kriminale dhe paratë e drogës nuk do ishin investuar për blerjen e zgjedhjeve e në ndërtim”.























