Ballina Ekonomi

Programit IPARD II, mundësi për zgjerimin e zejtarisë

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Zejtaria është një tjetër sektor i rëndësishëm në ekonominë rurale që mund të zgjerohet e zhvillohet përmes granteve që ofron programi IPARD II.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Dhomën Kombëtare të Zejtarisë zhvilluan në Tiranë një takim informativ, në lidhje me çeljen e thirrjes së katërt të programit IPARD II, mbështetje financiare për agroturizmin dhe zejtarët në zonat rurale të vendit.
Grigor Gjeçi, drejtori i Autoritetit Menaxhues të programit IPARD, tha se, “objektivi i këtij programi në thelb është të mbështesë sektorin bujqësor dhe në këtë thirrje mbështetja është shtrirë edhe për zejet, përmes fondeve të BE dhe qeverisë shqiptare”.
Zejtaria është një sektor që po zhvillohet. Produktiviteti dhe shumëllojshmëria e degëve të zejtarisë shqiptare, janë një potencial për ekonominë rurale me ndikim në tregun vendas dhe atë të huaj.
Thirrja e katërt e programit IPARD II është e hapur nga data 10 janar deri më 25 shkurt 2022.
Në këtë thirrje mbështetet Masa 7, për sektorët e turizmit rural dhe i natyrës si edhe punimet e artizanatit dhe industria e manifakturës.
Takimet informuese do të vijojnë në 12 qarqe të vendit.
/j.p/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRritet numri i turistëve në kalanë e Rozafës
Artikulli tjetërKuvendi, interpelancë me ministrin e Drejtësisë