Ballina Ekonomi

Mekanizma mbështetës për krijimin e zhvillimin e startup-eve

Startup with young man in the night

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat, diskutoi sot projektligjin “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”.

E ftuar për prezantimin e këtij projekti ishte Edona Bilali, ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Në parashtrimin përpara komisionit, ministrja Bilali shpjegoi se, qëllimi i këtij ligji është krijimi i një kuadri rregullator dhe institucional të favorshëm për krijimin e zhvillimin e startup-eve dhe mbështetjen e ekosistemit, për nxitjen e kërkimit, realizimit dhe përdorimit të ideve, modeleve, produkteve dhe proceseve të reja, të cilat sjellin risi në çdo fushë.

“Objektivat që synohen të arrihen janë zbatimi i mekanizmave mbështetës për krijimin e zhvillimin e startup-eve të reja, duke nxitur krijimin e një mjedisi të favorshëm dhe duke synuar thithjen e aktorëve që mungojnë aktualisht, kryesisht të subjekteve që ofrojnë inkubim, mentorim e financim të startup-eve të reja”, sqaroi më tej ministrja Bilali.

Kryetari i Komisionit Eduart Shalsi, njoftoi se, për këtë projekt do të ketë një seancë tjetër shqyrtimi, pyetjesh dhe diskutimesh, në lidhje me projektligjin pasi komisioni të marrë dhe komentet e diskutimeve në komisionet e tjera.

Objektivat që synohen të arrihen përmes miratimit të këtij projektligji dhe zbatimit të tij janë: përcaktimi i lehtësirave fiskale, i programeve dhe masave që mbështesin startup-et në fazën fillestare të biznesit (periudha e inkubimit) dhe mbështetjen e ekosistemit për të krijuar një klimë të favorshme për to në Republikën e Shqipërisë; organet shtetërore, të cilat ngarkohen me detyrat e kompetencat për mbështetjen e startup-eve si dhe përcaktimin e kritereve, rregullave dhe procedurat që zbatohen për certifikimin, mbështetjen, vlerësimin e monitorimin e startup-eve. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryemadhi: PD, asnjë ofertë zyrtare për një listë në 25 prill
Artikulli tjetërMiratohen 2 marrëveshje për tregun e lirë të punës dhe identifikimin elektronik në Ballkanin Perëndimor