Ballina Bota

MEKSIKË – Vritet gazetari i katërt për këtë vit

MEKSIKË, 1 shkurt /ATSH-ANSA/ Tre persona kanë qëlluar për vdekje sot gazetarin Roberto Toledo në Meksikë, i cili sapo kishte dalë nga studioja e portalit informativ Monitor Michoacán.

Kjo u bë e ditur nga Ministria e Sigurisë Publike meksikane. Drejtori i portalit, Armando Linares López, tha se Toledo, 55 vjeç, ishte bashkëpunëtori i tij prej tre vitesh dhe se u përball me vrasësit teksa ishte duke folur me disa kolegë.

Në një video të postuar në Facebook, Linares konfirmoi gjithashtu se Toledo kishte marrë disa kërcënime, siç ndodhi me gazetarët e tjerë të angazhuar në punën e denoncimit të korrupsionit të zyrtarëve bashkiakë.

“Ata u qëlluan në mënyrë frikacake sepse ne nuk mbajmë armë. Mbrojtja jonë e vetme është një stilolaps dhe një fletore. Por ne kemi emrat dhe e dimë se kush qëndron pas gjithë kësaj”, shtoi ai.

Roberto Toledo është gazetari i katërt i vrarë deri më tani këtë vit në vend. Lourdes Maldonado dhe Margarito Esquivel u vranë në Tijuana Baja California dhe José Luis Gamboa në Veracruz. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Kosova dhe Shqipëria nisin planin operacional për adresimin e barrierave ekonomike
Artikulli tjetërShoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër kallëzim penal për drejtuesit e FSHF-së