TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 Janarin si ”Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të Holokaustit”.
Kjo ditë përkujton miliona viktimat e politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqendrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe antisemitizmin.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë hebrenj u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e tyre.
Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet evropiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.
Në kampin Auschwitz vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe romë. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945.
Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 76 vitesh, në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht.
Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore.
Muzeu Historik Kombëtar i ka kushtuar një kënd të veçantë popullit hebre dhe mbështetjes së shqiptarëve ndaj tyre.





















