Ballina Aktualitet

Manja prezanton drejtorin e ri të Shërbimit të Provës

TIRANË, 26 janar /ATSH-I.Vata/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka prezantuar sot drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Ervin Hoxha, i cili e mori këtë detyrë pas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Gjatë prezantimit Manja ka kërkuar zbatimin e ligjit nga trupa e specialistëve të Shërbimit të Provës.

“Porosia ime një dhe e vetme që i përmbledh të gjitha porositë që kam për ju, është zbatimi i ligjit”, ka thënë Manja. Më pas, duke iu referuar problematikave të ngritura herë pas here në media, ai u ka kërkuar që të mos bëhen pjesë e makinacioneve në kurriz të së drejtës dhe ligjit. “Ju si shërbim nuk jeni të pavarur. Nuk jeni as një ishull me qeveri autonome, por jeni një shërbim që duhet t’ju udhëheqë ligji dhe vetëm ligji. Mbikëqyrja e dënimeve alternative duhet të jetë në funksion të qëllimeve që ka dënimi penal sipas ligjit dhe jo orekseve të individëve brenda shërbimit të provës dhe që s’ka lidhje me zbatimin e ligjit”, u shpreh ministri Manja, duke paralajmëruar se po punohet që ky shërbim të jetë pjesë edhe e mbikëqyrjes së kontrollit të brendshëm, njësoj si burgjet.

Ai i është drejtuar trupës se do të jenë ata që do të dalin në mbrojtje të veprimeve të tyre përpara opinionit publik dhe medias.

“Ne jemi këtu për të bërë detyrën kundrejt ligjit dhe qytetarëve. Kaq. Ju keni aplikuar për të qenë pjesë e sistemit. Tani jeni pjesë e sistemit. Ky sistem është në shërbim të qytetarëve. Nëse ndonjë e mendon ndryshe, dua t’ju them se nuk ka asnjë të paprekshëm”, tha Manja.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKëshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen e 12-të për Ballkanin e Hapur
Artikulli tjetërÇfarë është koliti?