Ballina Aktualitet

Këshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen e 12-të për Ballkanin e Hapur

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot pyetjen e 12-të të Këshillimit Kombëtar.

Pyetja e 12-të ka të bëjë me nismën e Ballkanit të Hapur.

“Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës “Ballkani i Hapur” midis Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interes të Shqipërisë. Të tjerë thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Si mendoni ju?”, është pyetja që i drejtohet qytetarëve.

Pyetja ka edhe një pjesë shpjeguese, ku thuhet se, “aktualisht, ekzistojnë shumë barriera lidhur me lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Krijimi i Ballkanit të Hapur do të rrëzonte barrierat e lëvizjes së lirë sipas modelit europian, duke i sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve avantazhe të reja ekonomike e sociale, si edhe do të promovonte më tej paqen në rajon”.

Qytetarët kanë tri mundësi për të kthyer përgjigje, “besoj se “Ballkani i Hapur” është një nismë e dobishme për Shqipërinë dhe paqen në rajon.

Besoj se “Ballkani i Hapur” nuk është një nismë e dobishme për Shqipërinë dhe paqen në rajon.

Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje”.

Rama shkruan se, “kjo është edhe çështja e fundit e pyetësorit të Këshillimit Kombëtar, për bashkëqytetarët e bashkëqytetaret, kudo ndodhen! Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kuvendimi popullor me rëndësi strategjike për Shtëpinë tonë Shqipërinë. Jepni opinionet tuaja duke klikuar këtu👉 https://keshillimikombetar.al/”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVolumi i mallrave të përpunuara në porte u rrit 4,6 %
Artikulli tjetërManja prezanton drejtorin e ri të Shërbimit të Provës