TIRANË, 25 janar/ATSH/ Ministrja Evis Kushi në Këshillin Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve ka deklaruar se prioriteti absolut i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është shëndeti i fëmijëve dhe rritja e shëndetshme, e qetë, e lumtur dhe e sigurtë e tyre.
“Në Ministrinë e Arsimit mision kryesor kemi t’i pajisim nxënësit me njohuri dhe aftësi që nesër të jenë profesionistë të aftë dhe qytetarë të denjë. Por prioriteti absolut edhe tek ne është që fëmijët të rriten të shëndetshëm, të qetë, të lumtur dhe të sigurtë”, – theksoi ministrja.
Më tej, Kushi tha se “shpeshherë për t’iu përmbajtur këtij prioriteti duhet që të bëjmë edhe sakrifica të mëdha, siç ishte vendimi i fundit që morëm për ndërprerjen e procesit mësimor për tri ditë në të gjitha shkollat e vendit”.
“Nuk do të donim kurrë që të ndërpritej procesi mësimor, por kur vendi përballet me kushte atmosferike jo të zakonshme për një vend si Shqipëria, kur në një pjesë të madhe temperaturat shkojnë deri në minus 17 gradë celsius, atëherë ne na duhet që prioritet kryesor të kemi sigurinë e fëmijëve, jo vetëm për sa i përket kushteve në shkollë, por kur ata dalin nga shtëpia për në shkollë”, – theksoi Kushi.
/k.s/j.p/r.e/























