TIRANË, 19 janar/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka dërguar një letër urimi presidentes së re të Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë.
Nikolla shprehu bindjen se Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin evropian.
“Me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë e të nderuar të presidentes së Parlamentit Evropian, ju dërgoj urimet më të përzemërta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht. Jam e bindur se nën lidershipin tuaj, Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht e me vendosmëri rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe do të intensifikojë e zgjerojë bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Nikolla.
Me një shumicë të qartë, Parlamenti Evropian votoi dje konservatoren Roberta Metsola si presidenten e tij të re, duke zëvendësuar David Sassoli, i cili vdiq papritur javën e kaluar.
Metsola, 43 vjeçe, vjen nga Malta dhe i përket fraksionit të qendrës së djathtë të Partisë Popullore Evropiane (EPP).
/k.s/j.p/r.e/













