TIRANË, 18 janar /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke u shprehur se PD nuk do të jetë kurrë as strehë, as avokate e të korruptuarve.
PD ka publikuar një video ku thekson se, “i braktisur nga demokratët Sali Berisha vjen vërdallë duke mashtruar e kërcënuar këdo që nuk mendon si ai”.
“8 janari tregoi fytyrën e vërtetë të Sali Berishës. Për interesin e tij Berisha dhunoi shtëpinë e demokratëve dhe ishte gati të derdhte gjakun e tyre”, shtoi PD.
“Por as ai, as aleatët e tij nuk do ta marrin peng Partinë Demokratike për hallet e tyre personale. Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë më as streha dhe as avokate e të korruptuarve. Demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, për t’u dhënë shqiptarëve ndryshimin që duan”, theksoi PD.
Në një reagim të dytë për deklaratat e ish-kryeministrit për bashkëshorten e kryetarit të PD, Partia Demokratike theksoi se Berisha është gënjeshtar ordiner dhe do mbahet mend si dhunues i PD.
“I deklaruar non grata për korrupsion bashkë me familjen e tij, dhe i braktisur nga demokratët pas dhunës së 8 janarit, Sali Berisha po sillet vërdallë nëpër Shqipëri duke thënë çdo ditë gënjeshtra të reja për Lulzim Bashën dhe familjen e tij”, thuhet në një deklaratë të PD.
“Për të dytën herë Sali Berisha, ky gënjeshtar ordiner, shpifi për bashkëshorten e kryetarit të PD. Ky është një mashtrim i ri nga njeriu që për hallin e tij dhunoi edhe shtëpinë e demokratëve dhe ishte gati të derdhë gjakun e tyre”, theksoi PD.
“Ky që për hallin e tij ka qenë gjithmonë gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë. Por ai është vetëm një e shkuar e keqe për PD-në dhe gjithë shqiptarët, dhe emri i tij do mbahet mend si një non grata për korrupsion”, shtoi PD.
/j.p/r.e/























