TIRANË, 15 janar/ATSH/- Muzeu Historik Kombëtar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kanë kujtuar sot lindjen e Heroit të Popullit, Isa Boletini.
Isa Boletini i njohur si Isë Boletini u lind në Boletin afër Mitrovicës më 15 janar 1864. Ai ishte luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar.
Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës kundër forcave osmane. Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi.
Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912.
Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912.
Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.
Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë.
Isa Boletini u vra më 23 janar 1916 në një shkëmbim zjarri në Podgoricë, pasi u vranë 17 bashkëluftëtarët e tij.






























