Ballina Flash

Salla e koncerteve në Universitetin e Arteve, Margariti: Rijetësim polit të ri kulturor

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Salla e koncerteve në Universitetin e Arteve do t’i kthehet studentëve e artistëve sipas standardeve bashkëkohore, por edhe duke ruajtur trashëgiminë.

Kështu theksoi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë inspektimit të punimeve për restaurimin e kësaj salle.

“Kur i vumë vetes synim restaurimin e sallës së koncerteve të Universitetit të Arteve, skeptikët ishin të shumtë, madje pak besonin se do ia dilnim. Falë një fryme të re bashkëpunimi me TAP – Shqipëri, që iu bashkua vizionit tonë për rijetësimin e kësaj salle historike, këtij poli të ri kulturor, po punohet me hapa të shpejtë në përforcimin e strukturës së godinës, punimet në sistemin mekanik e elektrik, si dhe fasadën e saj”, nënvizoi Margariti.

Rinovimi i sallës së koncerteve në UAT ka si objekt rigjenerimin dhe adaptimin tekniko-funksional të skenës së koncerteve, e cila është pjesë e ndërtesës së Universitetit të Arteve të Tiranës.

Projekti bën së bashku një sërë partnerësh, si Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe TAP, në cilësinë e bashkëfinancuesve të projektit, Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Cooperazione Italiana), Atelier4 dhe Universitetin e Firences.

Punimet restauruese janë planifikuar të zgjasin 14 muaj dhe pritet të përfundojnë brenda prillit të vitit 2022.

Salla e koncerteve në Universitetin e Arteve do të kthehet në një pol të rëndësishëm kulturor dhe nga ana tjetër, pjesë e memories arkitekturore të këtij vendi.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Fassino: Përshpejtim i negociatave me Shqipërinë dhe MV
Artikulli tjetërKufizimi i lëvizjes së mjeteve të rënda, Punavija: Lehtësim i situatës së trafikut në kryeqytet