Ballina Flash

Mbulesa vaksinale në masën 95%

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tha se “Omicron është shumë më infektues sesa variantet e tjera paraardhëse, por nga ekspertët e ISHP-së, nga ekzaminimet që kanë bërë mendohet që varianti Delta vijon të jetë dominues. Por për shkak të aftësisë infektuese që ka Omicron, mund të bëhet shumë shpejt variant dominant në Shqipëri”.

Gjatë një interviste televizive, ajo tha se rastet ditore të të prekurve nga infeksioni janë shtuar por rastet e shtrimeve në spital kanë mbetur në shifra të njëjta.

Rakacolli theksoi se “ne jemi në gjendje të bëjmë analizat për gripin dhe Covid-in dhe për momentin nuk kemi mbivendosje të këtyre dy formave tek pacientët”, teksa apeloi për vaksinimin e popullsisë si masa parandaluese dhe mbrojtëse nga infeksioni.

Lidhur me vendimet që merren nga Komiteti Teknik në bazë të treguesve të pandemisë, Rakacolli theksoi se “Komiteti Teknik i Ekspertëve analizon çdo ditë treguesit dhe në bazë të ndërthurjes së treguesve përcaktohet niveli i masave”. Ajo tha situata po ndiqet hap pas hapi dhe në varësi të ecurisë po merren edhe masat e reja.

Rakacolli bëri të ditur se, testet e shpejta në qendrat shëndetësore kryhen falas dhe nivelet e vaksinimit po ecin në ritme të kënaqshme. “Ne kemi mbulesë vaksinale në masën 95 %”, tha zv.ministrja, teksa vuri në dukje se, “njerëzit po ndërgjegjësohen se vaksinimi është mbrojtja më e mirë nga infektimi dhe pritshmëria për kryerjen e vaksinës së tretë është e lartë”.

Rakacolli theksoi se Omicron ka sjellë shtim të ndjeshëm të rasteve të reja, por fatmirësisht numri i të shtruarve në spital nuk ka ndryshuar shumë.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: Konferenca e Parë Ndërqeveritare me BE-në, brenda vitit
Artikulli tjetërUlqinaku: Mbizotërim i Omicron, rriten vaksinimet anti-COVID