Ballina Aktualitet

Protestuesit hapin me forcë derën e selisë së Partisë Demokratike

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Protestues të Partisë Demokratike të mbledhur para selisë së kësaj force politike hapën me forcë derën e selisë.

Nga pamjet e transmetuara drejtpërdrejtë në media, mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë rrëzuar dyert e mbyllura të godinës së Partisë Demokratike dhe kanë hyrë në ambientet e katit të parë të selisë duke thyer xhamat.

Disa protestues kanë tentuar të thyejnë kamerat e vendosura në godinën e Partisë Demokratike si dhe kanë hapur edhe derën e pasme të godinës që i përket zyrave të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka thirrur demokratët të bashkohen në protestën e sotme para Selisë së Partisë Demokratike me moton “Jo bunker i Pengut po Shtëpi e Demokratëve’ pas afatit të 5 janarit, që kishin lënë ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha për të liruar selinë.

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se mbyllja e dyerve të selisë për restaurime është justifikim, duke qenë se Basha ka blinduar dyert vetëm për të penguar Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike të futet brenda.

Pasi iu bashkua protestuesve një pjesë e të cilëve ndodhen brenda selisë, Berisha u bëri thirrje atyre të vetëpërmbahen dhe të ruajnë gjakftohtësinë.

“Falenderoj dhjetëra mijëra demokratët që kanë ardhur sot, këta referendarë të lirisë të kthejnë këtë “bunkier” të Lulzim “pengut” në shtëpinë e tyre të lirisë“, theksoi Berisha.
Sipas Berishës, finalja është kthimi i “bunkierit” në shtëpinë e lirisë.

Më tej, ai shtoi se Basha është i rrethuar nga gardistët.

“Ka humbur çdo normë dhe standard”, tha ai

Berisha deklaroi më tej se “Edvin Rama ka që dje pasdite që përgatit kurthe në ndihmë të Lulzim Pengut”.

Ish-kreu i PD-së bëri thirrje për vetëpërmbajtje, ndërsa deklaroi se protesta është një “lëvizje thellësisht paqësore”.

Ndërkohë mbështetësit e Berishës duke përdorur leva, trapanë e çekiçë kanë tentuar të hapin dyert e blinduara të godinës. Një person ka mbetur i plagosur pasi siç raportohet ai është goditur me sende të forta teksa po tentonte të hynte në katin e dytë të godinës me disa protestues të tjerë aty ku ndodhet kreu i PD-së, Basha dhe anëtarë të tjerë të PD.

Në drejtim të protestuesve që kërkonin me çdo kusht të hyjnë brenda selisë është hedhur një solucion që dyshohet si gaz lotsjellës dhe fikës zjarri.

Berisha tha se përgjegjësi për ngjarjet do mbajnë ata që hedhin gaz ndaj demonstruesve.

“Po hapin dyert e shtëpisë së tyre. A nuk është paqësore? Është vetëm paqësore. Po hapin dyert e shtëpisë së tyre. Do mbajnë përgjegjësi ata që i krijojnë hedhin gaz ndaj demonstruesve”, tha ai.

Pas thirrjes së PD-së ka ndërhyrë policia me ujë dhe gazlotsjellës duke shpërndarë mbështetësit e Berishës.

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta reagon për protestën te PD: Të shmangen aktet e dhunës
Artikulli tjetërAmbasada e Mbretërisë së Bashkuar: Të shqetësuar nga përdorimi i forcës nga protestuesit në selinë e PD-së