TIRANË 8 janar /ATSH-I.Vata/ Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se është ushtruar dhunë e paparë ndaj demokratëve në protestën e sotme paqësore.
Në një konferencë për mediet, Berisha deklaroi se kundër protestuesve është ushtruar dhunë dhe terror policor, të papara ndonjëherë në protestën e demokratëve.
“Sot u faktua përfundimisht se Lulzim Brava është në një aleancë krimi, gazi dhune ndaj demokratëve dhe PD-së me Edi Ramën, pengmarrësin e tij. E vërteta është se protesta madhështore e demokratëve ishte tërësisht paqësore. Vetëkuptohet, jo protestë kishte detyrë të hapte dyert e blinduara të mbyllura nga Edi Rama dhe pengun e tij Lulzim Basha. Në fakt protesta dyert i hapi. Nderim të madh të gjithë atyre protestuesve të cilët me guxim vendosmëri dhe gjakftohtësi çanë blindet e Edi Ramës dhe Bashës. Ka patur gazetar dhe fotograf dhe protestues të cilët nga sasia e madhe e gazit, pothuajse po humbisnin ndjenjat. Banditët e Edi Ramës u panë duke qëlluar me të gjitha mjetet mbi demonstruesit, ku 12 prej tyre përfunduan në spital. Janë të ndaluar pa asnjë motiv 41 protestues”, tha ai.
“Ajo çfarë më ka impresionuar më shumë është vendosmëria totale e protestuesve dhe e demokratëve për të qëndruar të pamposhtur. Ata sot kanë vetëm një pyetje “Kur do kthehemi përsëri”? Unë i garantoj ata se Komisioni i Rithemelimit do u jap përgjigjen në kohën më të shpejtë. Ne nuk jemi në betejë për një zyrë. Ne jemi në betejë kundër një përpjekje armiqësore të hapur të Edi Ramës për të asgjësuar pluralizmin politik në Shqipëri. Pra ne jemi në një mision të një rëndësie jetike në mbrojtje të pluralizmit politik në Shqipëri”, theksoi Berisha. /a.a/






















