Ballina Ekonomi

Siguria ushqimore gjatë festave, Krifca: Kontrolle në të gjithë territorin

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Në shërbim të sigurisë së konsumatorit, në këtë prag festash, ku konsumi i mishit rritet ndjeshëm, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet institucioneve të saj, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), ka intensifikuar inspektimet në thertore të ndryshme të vendit.

Këto inspektime po kryhen në të gjithë Shqipërinë, për të garantuar produkte të sigurta për secilin konsumator.

“Rregullimet në kontrollet veterinare, kanë mundësuar që prej datës 15 tetor, që thertoret e licensuara dhe tregjet e kafshëve të licensuara, të kenë në praninë e tyre një veteriner zyrtar i cili siguron që gjithë procesi të kryhet sipas standardeve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, u shpreh Krifca në fjalën e saj, gjatë inspektimit në thertore, në Mengel të Elbasanit.

Gjithashtu, ministrja Krifca tha se ka një rritje të numrit të therjeve të formalizuara gati trefish që prej datës 15 tetor.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, i bëri ftesë të gjithë konsumatorëve në këtë fundvit që t’i drejtohen pikave të tregtimit të cilat respektojnë standardet ushqimore.

Ministrja siguroi se AKU dhe AKVMB janë në terren për të siguruar që konsumatorët shqiptarë do të gjejnë produkte të sigurta nga ferma në tavolinë.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakImpiantet e përpunimit të mbetjeve, vepra publike strategjike
Artikulli tjetërProgram i ri strehimi për familjet në nevojë dhe çiftet e reja