Ballina Flash

Rritet mbështetja financiare për spitalin rajonal Memorial të Fierit

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Këshilli i Ministrave ka rritur mbështetjen financiare për spitalin rajonal Memorial të Fierit, duke garantuar edhe rritjen e gamës së shërbimeve të reja që ky spital ofron.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, informoi mbi këtë vendim të rëndësishëm të miratuar sot.

“Ky vendim mbështet një prej strukturave spitalore më të rëndësishme në vend, Spitalin Memorial në Fier. Tashmë është bërë më shumë se 6 muaj që ky spital po funksionon falë investimit që u krye në kuadër të mbështetjes së qeverisë turke. Spitali po funksionon duke rritur gamën e shërbimeve të tij dhe duke iu shërbyer më shumë se 330 mijë qytetarëve të tre qarqeve në jug të vendit”, tha ministrja.

Manastriliu theksoi se spitali rajonal Memorial në Fier po rrit shërbimet dita-ditës.

“Deri tani janë ofruar më shumë se 29 mijë shërbime duke filluar nga konsultat ambulatore, shërbimet imazherike dhe duke vijuar me ndërhyrjet kirurgjikale”, tha ajo.

Mbi të gjitha, ministrja theksoi se “kjo strukturë e re spitalore po bëhet një model i mirëfilltë ku ne, me miratimin e ligjit për kujdesin spitalor në Republikën e Shqipërisë, do të mundet të zbatojmë edhe modelin e ri të autonomisë spitalore”.

“Vendimi i qeverisë që ne miratuam sot, rrit mbështetjen financiare për këtë spital duke garantuar edhe rritjen e gamës së shërbimeve të reja që ky spital ofron. E rëndësishme është bashkëpunimi që ne kemi për transferimin e dijes dhe teknologjisë nga ekipet që vijnë në mënyrë periodike nga Turqia, duke garantuar jo vetëm zhvillimin e shërbimeve tona, por edhe cilësi shërbimi maksimale për qytetarët shqiptarë”, tha Manastirliu. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPlani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës, caktohen bazat deri në vitin 2030
Artikulli tjetërKthehet nga spitali dhe gjen 178… shtëpi!