TIRANË 29 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me strukturat e PD-së në Dibër.
Basha u shpreh se “do shqyrtojmë rrugët e daljes nga kjo gjendje, të vendosim kursin për të ecur përpara dhe të gjithë bashkë ta nxjerrim Shqipërinë nga humnera ku e ka katandisur regjimi i Edi Ramës”.
“Ky takim zhvillohet në kushte shumë të vështira, kudo anembanë Shqipërisë e në veçanti në treva të varfëruara me qëllim nga ky regjim siç është Dibra, siç është Bulqiza, siç është Mati, siç është Verilindja dhe Veriu në tërësi, por anembanë Shqipërisë edhe në Tiranë, 40% e familjeve nuk arrijnë dot të ngrohin shtëpitë e tyre. Ndërkohë që dimri jo vetëm ka trokitur, por po fillon me temperaturat nën 0, 50% e familjeve shqiptare, 1 në 2 familje shqiptare nuk arrijnë të paguajnë dot më shumë se një vakt të plotë për familjet dhe fëmijët e tyre. 90% e familjeve shqiptare, e shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre, pavarësisht se nga vjen, të ardhura për ata pak njerëz që janë në punë, apo fermerë, pensionist plus ndihmën që mund të marrin nga fëmijët në emigracion, punonjës të administratës apo të sektorit privat, s’ka rëndësi se nga i vijnë të ardhurat, 90% e të ardhurave shkojnë për nevojat bazë. Jo sikur të ishim në zemër të Europës, po sikur të ishim në një cep të harruar të Afrikës. Standardi i jetës ka rënë kokëposhtë, fuqia blerëse është më e ulëta krahasuar me të ardhurat në të paktën 2 dekada. Bashkë me konsumin që bie ditë për ditë, mbyllen qepenat e bizneseve, shkatërrohet tregu i punës, shtohet numri i të papunëve, e bashkë me ta edhe numri i atyre që duan të largohen dhe që largohen nga vendi i tyre”, tha ai.
Duke folur për skandalin e pagave Basha tha se Shqipëria u katandis në një shtet të kapur nga të korruptuarit, i rrënuar deri në tullën e fundit.
“Të gjitha këto halle, probleme, dhimbje të përditshme të shqiptarëve, janë bërë edhe më të rënda nga pandemia, e cila na ka marrë nga gjiri familjeve tona dhjetëra, mijëra prindër dhe të afërm. Shumë më shumë sesa vendet fqinje. Ka goditur dhe ka futur në borxh qindra, mijëra familje shqiptare. Sepse ky vend nuk ka qeveri. Sepse ky vend nuk qeveriset. Ky vend nuk ka qeveri sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit që nuk ka hallin e njerëzve. Nuk qeveriset sepse anembanë vendit, nuk ka shtet. Nuk është një shtet i korruptuar dhe i kapur, por është një shtet i kapur nga të korruptuarit. Një shtet që siç e pamë javët e fundit është rrënuar deri ën tullën e fundit. Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, e kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve”, tha ai.
Basha shtoi se shumica dërrmuese e shqiptarëve është zhytur në varfëri, ndërsa Edi Rama paguan 300 mijë euro për 25 këshilltarë, me taksat që iu merr qytetarëve
“Teksa po vija këtu, një e dhënë tjetër dramatike është shpalosur në media. 300 mijë euro për 25 këshilltarë paguan Edi Rama nga taksat që iu merr shqiptarëve. Para të mjaftueshme për të futur në skemën e ndihmës ekonomike 500 familje. Në vend të 500 familjeve në ndihmë ekonomike, kemi 25 këshilltar dhe e kuptoni vet se çfarë këshillash i japin Edi Ramës, sepse e shikojmë se si është Dibra, e shikojmë se si është Shqipëria në ditën e saj më të zezë. Të gjithë këta njerëz paguhen me paratë të cilat merren nga xhepat tuaj. Merren përmes TVSH-së, merren përmes çmimit më të lartë të naftës, merren përmes faturave arbitrare të dritës e të ujit, merren përmes taksave që janë më të lartat në rajon, merren përmes gjobave që nuk kanë të përfunduar. Asnjë prej këtyre të ardhurave që shteti grumbullon, nuk kthehen siç kthehen në vendet fqinje në përfitime për qytetarët. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, është zhytur në varfëri. Vetëm një pakicë e vogël, aq e vogël sa e zë një avion i vetëm që është nisur ditën e avion privat sheikësh drejt Dubait, vetëm ata përfitojnë nga regjimi i Edi Ramës. Vetëm ata pasurohen në një kohë që i gjithë populli varfërohet. Vetëm Ata gëzojnë dhe fërkojnë duart për të mbajtur paligjshmërisht, me çdo kusht e me çdo mjet në këmbë këtë regjim”, u shpreh ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal edhe tek shpallja “non grata” e Sali Berishës.
“Ne nuk kishim në dorë asgjë, në vendimin e aleatit tonë strategjik. As mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja non grata e Sali Berishës, është një vendim që është marrë nga aleati ynë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju e dini se për muaj me radhë unë kam punuar me të dhe me partnerët tanë strategjik për të gjetur një zgjidhje pikërisht, për t’ia hequr këtë luks Edi Ramës. Por në fund, njeriu që me të vërtet ka bërë shumë për këtë parti, por dhe ka marrë shumë nga kjo parti, vendosi interesin e tij personal mbi interesat e demokratëve dhe ç’është më e keqja mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.
Kjo është e vërteta e qartë dhe e qëruar, gjithçka tjetër është gënjeshtër e sido që të serviret, prapë gënjeshtër ngelet”, tha Basha. /j.p/












