TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka reaguar nisur nga disa raportime aspak profesionale në mediat online, duke sqaruar opinionin publik se nuk do të ketë asnjë delegim tek privati të platformës e-Albania.
“Në datën 22 Tetor, 2021, ka nisur konsultimi publik për një projektligj për qeverisjen digjitale nisur nga nevojat e vendit për shkak të rritjes së konsiderueshme të hapësirës digjitale. Projektligji i ri parashikon, ndër të tjera, ngritjen e një institucioni publik sh.a nën varësinë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të rregulluar marrëdhënien e shërbimeve që jep AKSHI karshi institucioneve publike në vend”, sqaron AKSHI në reagim.
AKSHI bën të ditur se, “në asnjë rrethanë apo propozim, institucioni i ri nuk do t’i delegohet asnjë privati por përkundrazi, do të jetë nën varësinë e AKSHI-it, të qeverisë. Çdo punë e realizuar nga AKSHI, në veçanti e-Albania që është një pasuri kombëtare që ofron mbi 1,200 shërbime publike për qytetarët, nuk do t’i jepet asnjëherë privatit për administrim”.
“Me projektligjin e ri synohet që të ketë një administrim më të mirë të shërbimit të mirëmbajtjes së rrjetit, të shërbimit të internetit, licencave të Microsoft, licensimit me antivirus apo shërbimi helpdesk për punonjësit e administratës publike”, thuhet në reagimin e AKSHI-t.
“Ne apelojmë që mediat të jenë korrekte në raportimet e tyre, që pavarësisht reagimeve individuale të personave të ndryshëm, të verifikojnë pretendimet e dhëna të cilat në këtë rast bien menjëherë poshtë pasi projektligji për e-qeverisjen është lehtësisht i aksesueshëm online në konsultimin publik”, theksohet në reagim.
“Gjithashtu, është mjaft e rëndësishme të promovojmë shërbimet online si një mundësi e madhe për ekonominë e vendit dhe jo të përhapim lajme të rreme”, përfundon reagimin AKSHI.























