Ballina Ekonomi

Nga 15 janari leja e re e qarkullimit, kushton 40% më pak

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se nga data 15 janar 2022 do të dalë në treg leja e re e qarkullimit të mjetit, e cila është më e sigurtë dhe kushton 40% më pak

“Nga 15 janari, ne dalim me lejen e re të qarkullimit të mjeteve, e cila eliminon certifikatën e mjetit. Tashmë do të kemi vetëm lejen e re të mjetit, e cila do të jetë më e mirë në cilësi se dhjetëra shtete të Bashkimit Europian. Leja do të jetë më e vogël dhe e pashkatërrueshme, nuk prishet nga lagia, nga zhubravitja”, tha Gonxhja në një intervistë në medie.

Ai bëri të ditur se leja e re do të kushtojë 40% më lirë.

“Edhe nga pikëpamja e sigurisë është e pafalsifikuar. Kjo leje do të kushtojë edhe 40% më pak, nuk do të skadojë më, nuk do të ketë më vulat e kolaudimit që na mbushnin vendin dhe ne bënim një leje të re. Nuk do të kemi nevojë të kemi më as leje ndërkombëtare me vendet e BE-së. Dalim në një dokument më të sigurt dhe më të lirë”, tha Gonxhja.

Kreu i DPSHTRR theksoi se leja e vjetër do të mbetet në fuqi deri sa të skadojë afati.

“Nuk është me detyrim zëvendësimi. Kjo do të thotë se kush ka një gjë për të bërë, i humbin letrat, ndërron targat, ndërron pronësinë apo ka një shërbim që kërkon ndërrimin e lejes, atëherë do të marrë lejen e re. Edhe në rast se ai do me dëshirë të vijë të marrë lejen e re”, u shpreh Gonxhja. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNjë spital izraelit teston efikasitetin e dozës së katërt të vaksinës antiCovid-19
Artikulli tjetërNisin rekrutimet në Forcat e Armatosura, Peleshi: Pagesë dhe trajnim si asnjëherë më parë