MOSKE, 25 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një gjykatë ruse ka vendosur gjoba të mëdha ndaj kompanisë Google dhe kompanisë mëmë të Facebook, Meta, për refuzimin e dyshuar të fshirjes së “përmbajtjes së ndaluar”.
Google u dënua me 7.2 miliardë rubla (98 milionë dollarë) dhe Meta, e cila gjithashtu zotëron Instagramin, gati 2 miliardë rubla (27 milionë dollarë).
Sipas vendimeve të gjykatës të cituara nga agjencia e lajmeve Interfax, shuma e gjobave u bazua për herë të parë në faturimin vjetor të kompanive në Rusi.
Gjiganti amerikan i kërkimit Google tha se do ta studionte vendimin në detaje përpara se të diskutonte hapat e mëtejshëm.
Google dhe Facebook tashmë janë gjobitur disa herë në Rusi, ashtu si Tëitter dhe TikTok.
Autoritetet ruse kanë shënjestruar rrjetet sociale veçanërisht pas protestave masive në fillim të këtij viti kundër ndalimit të kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny.
Ata akuzojnë platformat se nuk heqin vazhdimisht mesazhet që bëjnë thirrje për demonstrata të paautorizuara, përmbajtje pornografike për fëmijë ose thirrje për vetëvrasje. /os/






















