TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Mali i Dajtit, vetëm 22.4 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, është një atraksion i mrekullueshëm në të gjitha stinët e vitit.
Ditët e fundit, mali i Dajtit është mbuluar nga dëbora, duke ofruar një peizazh mahnitës për vizitorët.
Një ditë në Dajt nuk është vetëm kënaqësia nga dëbora apo pamja që të ofron udhëtimi me teleferik. Përveç fotove në bardhësinë e dëborës në Dajt mund të shijohet dhe një shëtitje në natyrë me kuaj.
Parku Kombëtar i Dajtit shtrihet në një sipërfaqe prej 3300 h dhe konsiderohet si një monument natyror falë pyjeve me dru ahu me moshë deri 200 vjeçar.
Vitet e fundit Dajti është kthyer në një atraksion edhe për turistët e huaj, që pëlqejnë natyrën dhe aventurën. Mali i Dajtit nuk vizitohet vetëm në sezonin e dimrit kur mbulohet nga bardhësia. Edhe në pranverë kur rifillon gjelbërimi dhe ajri i pastër Dajti kthehet në magnetin që tërheq turistët.
/k.s/













