TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali bëri të ditur se lëvizja e lirë e njerëzve në Ballkan mund të kompensojë boshllëkun e fuqisë punëtore në vendin tonë.
Në një intervistë në medie, Bilali u shpreh se oferta për burime njerëzore nuk është më 3 milionë banorë, por 22 milionë banorë sa është Ballkani.
“Paralel me ritmin e integrimit është rritur edhe numri i kompanive prezente në këto zona. Kjo është një statistikë të cilën e kam vërejtur edhe personalisht. Një zgjidhje që ofrohet aktualisht është nëpërmjet Ballkanit të Hapur. Kur themi lëvizja e lirë e njerëzve është pikërisht kjo, ku nesër të vijë një kompani të investojë në Shqipëri, ofertën për burime njerëzore nuk e ka 3 milionë banorë, por e ka 22 milionë banorë sa është Ballkani”, u shpreh ajo.
Sipas saj, po shtrohet terreni.
“Ne po shtrojmë terrenin që, si për shqiptarët që duan të punojnë në shtetet e tjera të Ballkanit, ashtu edhe për ballkanasit për të ardhur për të punuar në Shqipëri, të jetë krejtësisht e lehtësuar. Kjo mendoj se do ta kompensojë këtë boshllëk”, tha ministrja Bilali. /j.p/






















