TIRANË, 21 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne do të vazhdojmë me ‘Ballkanin e hapur’, njësoj si secili prej nesh vazhdon rrugën për ta integruar vendin e vetë në Bashkimin Europian”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, në mbyllje të samitit të “Ballkanit të hapur”, që u zhvillua sot në Tiranë, Rama tha se “pavarësisht se çfarë thonë të tjerët, qoftë kur janë kundër ‘Ballkanit të hapur’, qoftë kur na nxjerrin pengesa në rrugën drejt BE-së, rëndësi ka që ne të bëjmë detyrën tonë”.
“Ka një fakt shumë ballkanik që i thotë të gjitha. Në Serbi akuza është që Presidenti po punon për ‘Shqipërinë e madhe’. Në Shqipëri akuza është që unë po punoj për ‘Serbinë e madhe’, në Maqedoninë e Veriut nuk e di për çfarë punojnë këta, për Maqedoninë e madhe apo Bullgarinë e madhe, se kjo është e paqartë, por e vërteta është se secili prej nesh punon për një transformim të madh në emër të paqes, prosperitetit dhe të ardhmërisë së të gjithëve ne, por fëmijëve tanë në radhë të parë”, tha Rama.












