Ballina Bota

PORTRET – Friedrich Merz, rivali i Merkelit, merr kreun e CDU-së

BERLIN, 18 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Rikthimit të madh ia doli vetëm në përpjekjen e tretë dhe më në fund Friedrich Merz do të udhëheqë kristian-demokratët e CDU-së, ndërkohë që kjo fitore e presidencës së partisë shënon një disfatë të madhe politike për ish-kancelaren, Angela Merkel.

Avokati milioner i çështjeve financiare, 66 vjeç, fitoi me një shumicë të madhe te baza kristian-demokrate, që duhej të zgjidhte mes tij dhe dy kandidatëve të tjerë, deputetit Norbert Roettgen, ekspert i politikës së jashtme, dhe Helge Braun, ish-ministër i kancelares.

Rezultati nuk lë shumë dyshime, pasi Merz mori 62,1% të konsensusit, kundrejt 25,8% të Roettgen dhe 12,1% të Braun. Votuan 66% e anëtarëve të partisë, me 132 617 vota që mbërritën online dhe 115 743 në kutitë e votimit. Numra që nuk kërkuan balotazh.

I futur në politikë nga Wolfgang Schaueble tre vjet më parë, guruja kristian-demokrat u përpoq fillimisht të mundte të zgjedhurën e Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer, dhe pastaj Armin Laschet.

Merz mori frenat e partisë pas humbjes historike të 26 shtatorit, kur kristian-demokratët humbën kancelarinë pas 16 vjetësh duke marrë vetëm 24,1% të votave.

Por, ai nuk e ka sqaruar ende nëse do të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar.

Me origjinë nga North Rhine Westphalia, katolik, i martuar dhe me tre fëmijë, Merz ka një karrierë të gjatë politike pas vetes, e mbyllur pikërisht për shkak të një shahu politik të ish-kancelares, çka provokoi një pushim të gjatë 10-vjeçar për Merz.

Ai iu bashkua CDU-së në vitin 1972 dhe ishte deputet i Parlamentit Evropian dhe i Bundestagut, ku drejtoi grupin parlamentar mes viteve 2000 dhe 2002, deri në momentin kur i duhej të largohej.

Ai pranoi për ”Bild” disa vite më parë se kishte arritur të fitonte me profesionin e avokatit rreth një milion euro bruto në vit.

Përfaqësues i krahut të fortë të liberalizmit ekonomik të CDU-së, Merz e ka bërë të qartë gjithmonë se kërkonte të merrte votat e rrjedhura nga ekstremi i djathtë i ”Alternative fuer Deutschland”.

Merz ka premtuar se do ta përfaqësojë partinë “në të gjithë gjerësinë e saj” dhe se do të synojë ”promovimin e të rinjve”.

Me Merz, CDU-ja do të kthejë një faqe të re dhe do të lerë pas merkelizmin./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Coriolanus”, një vepër që s’mund ta lini pa e parë
Artikulli tjetërNgritja e Urdhrit të Punonjësit Social, Manastirliu: Rrit cilësinë e shërbimeve në territor