Ballina Flash

Këshilli i Integrimit tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të OSHC-ve

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian zhvilloi sot një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të organizatave të Shoqërisë Civile, mbi rolin e tyre në procesin e negociatave me Bashkimi Evropian të Shqipërisë.

Në këtë tryezë, morën pjesë përfaqësues nga 22 organizata të Shoqërisë Civile si dhe anëtarët e të ftuarit e përhershëm të KKIE.

Në fjalën hapëse kryetarja e KKIE, Jorida Tabaku u shpreh se, KKIE si edhe Komisioni për Integrimin Evropian janë përpjekur të jenë nxisin dhe të jenë promotorë të përfshirjes së shoqërisë civile në këtë proces.

Ajo ftoi përfaqësuesit e OSHC-ve që të shprehnin mendimet dhe sugjerimet e tyre, mbi mënyrën se si mund të kontribuonin në procesin e negociatave në mënyrë të strukturuar.

Ndërsa, nënkryetari Taulant Balla ndër të tjera rikujtoi se dhe sot ishte e hapur thirrja për aplikim të OSHC-ve si anëtarë të KKIE me të drejtë vote.

Ai theksoi se fjala e tyre dhe propozimet dhe sugjerimet gjatë këtij takimi do të merreshin parasysh.

Ai ftoi të pranishmit të japin propozimet, idetë dhe sugjerimet e tyre për të pasuruar kalendarin një vjetor të këtij Këshilli.

“Të jeni të sigurt që çdo lloj seance dëgjimore apo çdo lloj aktiviteti tjetër që ju jeni të gatshëm të propozoni, do të përfshihet në kalendarin një vjeçar të Këshillit Kombëtar të Integrimit. Në janar, do mblidhemi për të formësuar kalendarin e vitit 2022”, theksoi ndër të tjera Balla.

Pjesëmarrësit falënderuan KKIE për përfshirjen aktive të Organizatave të Shoqërisë Civile në këtë proces kaq të rëndësishëm të integrimit.

Po ashtu, ata diskutuan mbi punën që ata bëjnë lidhur me këtë proces aktivitetet e ndryshme që bëjnë në terren, konstatimin e problematikave por edhe arritjeve, rolin lehtësues në rastet e think-tank, gjithë përfshirja dhe forcimi i rolit të tyre këshillimor dhe monitorues, do të kontribuojë në nxitjen e konsensusit politik ndërkohë që kuadri ligjor dhe institucional rishikohet e përmirësohet në vazhdimësi etj.

Më tej, gjatë diskutimit përfaqësuesit e OSHC-ve u shprehen se pikërisht këto organizata janë vlerë e shtuar e këtij procesi, pasi ato luajnë një rol kyç në monitorimin, konsultimin dhe vlerësimin e veprimeve, masave dhe zhvillimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit.

Kështu, shoqëria civile është një aktor i rëndësishëm në monitorimin dhe mbështetjen që i bëhet punës së qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, si një vlerë e shtuar në këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë. Ata kërkuan të përfshiheshin jo vetëm në platformën e partneritetit, por dhe si pjesë e GNPIE-ve.

Ndërkohë që theksuan se duhet të ketë një ndjekje të tematikave dhe çështjeve problematike që diskutohen në KKIE, por dhe një vlerësim të rolit të KKIE dhe Kuvendit gjatë procesit të negociatave duke qenë se Ligji 15/2015 ishte miratuar para 6 vjetësh.

Në fund të këtij takimi nënkryetari i KKIE, falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e tyre gjatë këtij takimi.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM- Johnson mbron planin “proporcional” mbi Covid-19
Artikulli tjetërNjë sondë e NASA-s ”prek” diellin për herë të parë