Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: Rritja ekonomike e pritshme, 7.8 % për vitin 2021

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ “Për disa ndryshime në ligjin “Për buxhetin e vitit 2021”, i ndryshuar”.

Ibrahimaj tha se “Akti Normativ ka për qëllim rialokimin e të ardhurave shtesë përtej parashikimeve të fundvitit prej 18.2 miliardë lekësh, duke arritur në nivelin e 507 727 milionë lekë ose shifra më e lartë historike, si në nivel absolut, ashtu dhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto”.

Në fjalën e saj, ministrja u shpreh se rritja ekonomike e pritshme për 2021 është përtej çdo parashikimi vendas apo të huaj, rreth 7.8 % në fund të vitit, një rritje ekonomike me bazë të gjerë, e cila përfshin të gjithë sektorët e ekonomisë.

Ibrahimaj theksoi se, “burimet kryesore të rritjes të cilat i lejuan Shqipërisë të jetë vendi i parë në rajon i cili arriti nivelin e PPB-së të parakrizës janë: industria nxjerrëse, e cila është rritur me 15.4 %; industria përpunuese me 9.8 %; tregtia me shumicë dhe pakicë me 7.6 %; transporti dhe magazinimi me 23.2 %; akomodimi dhe ushqimi me 28.2 %; aktivitetet financiare dhe të risigurimit me 11.8 %; ndërtimi me 10.3 %, ndërkohë që thuajse të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë shënuan një rritje në raport më një vit më parë”.

“Rimëkëmbja ekonomike nuk dallohet vetëm në sektorin real, por dhe në atë bankar. Kredia për ekonominë është rritur me 6.29 % për dhjetëmujorin ndërkohë që besimi i biznesit dhe i konsumatorit dhe u kthye në nivelin e para krizës dhe investimet e huaja direkte u rritën me 11 % në gjashtëmujorin e parë të vitit”, u shpreh Ibrahimaj.

Sa i përket rritjes së të ardhurave nga tatimet dhe doganat, Ministrja theksoi se të ardhurat tatimore për 10-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 105.4 % krahasuar me planin, ndërkohë që rritje ka pasur edhe në të ardhurat doganore, ku rreth 80 % e rritjes krahasuar me vitin e kaluar i referohet rritjes ekonomike, pra volumit të importeve, ndërsa vetëm rreth 20 % e shtesës së të ardhurave i referohet rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.

“Vlen të theksohet se të ardhurat tatimore të vitit 2021 rezultojnë mbi 8 % më të larta se ato të vitit 2019, i konsideruar ky si vit normal, çka tregon se tashmë ekonomia shqiptare e ka marrë ritmin e saj të rritjes, ndërkohë që krahasuar me vitin 2020, i konsideruar si viti me efekte të mëdha negative në ekonomi të shkaktuar nga pandemia, rritja është mbi 18 %”, tha Ministrja.

Kjo rritje në të ardhurave, vijoi Ibrahimaj, do të investohet dhe rialokohet në disa zëra buxhetorë, siç është dhënia e një shpërblimi për festat e fundvitit në masën 5.000 lekë për secilin nga 688.000 përfituesit e kategorisë së pensionistëve, ku fondi total arrin në 3.5 miliardë lekë.

Gjithashtu, përmes Aktit Normativ do të bëhen një sërë axhustimesh/rialokimesh mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale, të cilat janë pa kosto ose me kosto neutrale në buxhet dhe ndikojnë ndjeshëm në optimizimit e shkallës së realizimit të shpenzimeve, sidomos atyre kapitale, për pjesën e mbetur të vitit 2021. Ndër më kryesoret janë:Shtesa në masën 7 miliardë lekë për Fondin e Rindërtimit; Shtesa në masën 1.4 miliardë lekë për MIE në zërin ‘Mirëmbajtje rrugore’; Shtesa në masën 340 milionë lekë për MBZHR, për financimin e vijueshëm të Skemës së Fermerëve për vitin 2021.

Shtesa në masën 308 milionë lekë për EKB, për financimin shtesë të nevojave të qirave të strehimit social në kuadër të tërmetit, për vitin 2021.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Scholz në fjalimin e parë si kancelar: Të krijojmë Gjermaninë moderne
Artikulli tjetër1.9 miliardë lekë shtesë për disa projekte investimi