TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Në qytetin e Lezhës u përuruan sot dy urat e reja të këmbësorëve mbi Drin, të ndërtuara si pjesë e projektit të Rilindjes Urbane.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, përfaqësues të pushtetit vendor, qytetarë etj.
“Përurimi i dy urave mbi Drin të financuar nga qeveria zvicerane, SDC dhe ADA austriake, me projekt të bashkisë Lezhë ishte aktiviteti i sotëm që i dha sharm qytetit, i cili dalëngadalë po merr formën e duhur siç e meritojnë qytetarët e mrekullueshëm lezhjanë”, tha Ndreu.
Përmes projektit me vlerë prej 37.8 milionë lekë, të realizuar nga bashkia Lezhë, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është kryer rikualifikimi i kangjellave mbrojtëse të urave që lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë në shëtitoren e lumit Drin.
Me ndërtimin e këtyre urave, vizitorët vendas dhe të huaj tek lumi Drin i Lezhës do të gjejnë tashmë një pikë atraksioni turistik ndryshe, ku mund të shëtisin mbi urat e reja metalike për këmbësorë.
/k.s/a.a/r.e/












