TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar futjen e Sali Berishës në selinë e PD-së, si një masakër të shëmtuar.
Gjatë një konference për mediet pasditen e së hënës, Basha tha se ish-kryeministri Sali Berisha ka frikë nga Kuvendi i Partisë Demokratike që do të mbahet më 18 dhjetor.
Basha tha se Berisha është gati që për interesat e tij personalë të shkatërrojë gjithçka, madje edhe “fëmijën” e tij politik, Partinë Demokratike.
“Pa SHBA-në nuk do të arrinim dot Marrëveshjen e Ohrit. Pa SHBA-në, ky komb do të kishte një fat ndryshe. Mund t’i fajësojmë për gabimet tona, por shqiptarët nuk e meritojnë Edi Ramën. Ky realitet i përkohshëm do ndryshojë vetëm nëse do ndryshojmë, përmes vlerave. Ata që pamë sot janë llumi i shoqërisë dhe PD-së. Këto janë ditët e përçarjes nga Sali Berisha, që hedh gënjeshtër pas gënjeshtre, për orë të tëra. Sot pamë një njeri të frikësuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit. Të gjithë demokratët po presin këtë datë, të japin një përgjigje të qartë të shkuarës, t’i japin një mesazh shoqërisë dhe kombit për të nesërmen. Ne e dimë rrugën me të cilën do të drejtojmë këtë vend, këtë popull, për të çarë pengesat drejt të nesërmes. Me lirinë e plotë të shprehjes së mendimit, siç dhamë edhe shembujt e djeshëm me mbledhjen e Këshillit Kombëtar”, u shpreh Basha.
Sipas Bashës, Berisha për t’iu fshehur “non grata”-s, po fshihet brenda PD-së.
“Qëndruam të qetë dhe vendosëm të mos biem në këtë provokim të trashë. Kjo që pa çdo shqiptar sot, është pamja e një humbësi, i cili shfaqet si një fitimtar. Gjithçka ka bërë sot është se humbja e tij është pa kthim. Demokratët e dinë mirë se ai, si një ish-komunist i vjetër, është gati të shkatërrojë gjithçka, edhe “fëmijën” e vet politik, PD, për interesin e tij personal”, u shpreh Basha.
Sipas tij, Berisha është bërë pengesë në luftën opozitare të PD.
/a.a/r.e/





















