TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit në muajin nëntor, pas një rënie prej tre muajsh radhazi.
Vrojtimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit i Bankës së Shqipërisë shënoi rritje me 0.9 pikë në muajin nëntor. Rritja u përcaktua kryesisht edhe nga përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve.
Bizneset vlerësuan kërkesat në rritje për shërbimet e ofruara. Ndërsa pritjet e tyre për të ardhmen janë vlerësuar më pozitivisht si për kërkesën për shërbime, ashtu edhe për situatën e punësimit.
Pritjet për çmimet që do të vendosin në muajt e ardhshëm janë rishikuar për poshtë nga bizneset e sektorit të shërbimeve.
Gjithsesi biznesi dhe konsumatorët janë shprehur pozitivisht për rritjen e besimit në ekonomi për periudhën në vijim.
/j.p/r.e/























