MANILA, 9 dhjetor /ATSH-DPA/- Një gazetar filipinas që ndihmoi në mbulimin e fushatës së luftës kundër drogës të presidentit Rodrigo Duterte për një agjenci ndërkombëtare të lajmeve u qëllua për vdekje në Filipinet lindore, raportoi sot policia.
Jesus Malabanan, 58 vjeç, u qëllua në kokë dhe u deklarua i vdekur dje në mbrëmje pas mbërritjes në spitalin e Calbayog, 482 kilometra në juglindje të Manilës, deklaroi policia.
Policia nuk ka identifikuar ende një të dyshuar apo motiv lidhur me këtë vrasje, por kolegët thanë se Malabanan ishte kërcënuar me vdekje përpara se të vritej.
“Jess e ndihmoi shumë Reuters në historitë e luftës së drogës që u nderua me çmimin “Pulitzer” në 2018”, tha Manny Mogato, një korrespondent në pension i agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, i cili ishte pjesë e ekipit të Manilës që punoi në raportet fituese të çmimeve.
Malabanan është gazetari i 22-të i vrarë në Azinë Juglindore që kur Duterte u bë president në vitin 2016.
Filipinet janë renditur si një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët nga grupet e lirisë së shtypit, duke përfshirë Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork. //a.i/


















