BM – Johnson: Goditje të rëndë bandave të drogës

LONDËR, 6 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson ka premtuar goditje të rëndë kundër bandave të drogës dhe kundër drogave të forta.

Në ditën kur fillon plani 10-vjeçar i qeverisë konservatore për të luftuar trafikun e drogës dhe mbështetjen e sistemit të rehabilitimit në Angli dhe Uells, kryeministri mori pjesë në një aksion kundër drogës, me policinë, në një lagje të Liverpulit.

“Qeveria është absolutisht e vendosur për të luftuar drogën”, tha Johnson, sipas të cilit bandat që shesin lëndë narkotike duhet të goditen fort për të luftuar qarkullimin e substancave të dëmshme për shoqërinë dhe që janë në rrënjë të përhapjes së krimit në vend.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme britanike, ka 300 000 persona të varur nga heroina në Angli, përgjegjës për gjysmën e krimeve të tilla si vjedhjet dhe grabitjet.

Gati gjysma e vrasjeve kanë lidhje me drogën.

Përballë një buxheti prej 300 milionë sterlinash, policia është në pritje të kompetencave të reja, si ajo e gjurmimit të telefonave celularë të tregtarëve të drogës tek klientët e tyre dhe kontaktimi me ta për t’i bindur që të ndryshojnë stilin e jetesës.

Lidhur me raportet e medias, sipas së cilës gjurmë kokaine janë gjetur në tualetet e Parlamentit, Johnson u përgjigj se ekzekutivi i tij është më i përkushtuar se kurrë në luftën kundër drogës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.