Tabaku: Pastrimi i parave, njolla e zezë e turpit

TIRANË 2 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se pastrimi i parave është imazhi i turpit të qeverisë shqiptare.

Duke folur për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, Tabaku tha se nuk ka asnjë diskutim që jetojmë në dy realitete të ndryshme.

“E dëgjova me shumë interes Ministren e Financave kur bëri prezantimin dhe replikën. Kanë filluar të gjithë të përdorin të njëjtën morfologji fjalimi. M’u duk sikur foli Edi Rama këtu. Po me të njëjtat fjalë, me të njëjtën retorikë, me të njëjtën nënvlerësim për këdo që flet ndryshe. Është e vërtetë që jetojmë në realitete të ndryshme, sepse në fakt ne jetojmë në atë realitetin ku 500 mijë shqiptarë janë larguar. Ku të paktën gjysma e atyre që sot regjistrohen si azilkërkues janë shqiptarë nën 19 vjeç. Ku sot mbi 30 % e shqiptarëve janë në fakt në pragun e varfërisë dhe ky është një realitet që ka nevojë për vëmendje. Qeveria jeton në atë realitetin e estetikës. Hajde bëjmë dy ligje shumë të mira, shumë të bukura, i përafrojmë edhe me BE-në, sepse do zgjidhim çdo problem që sot ekziston për pastrimin e parave. Pastrimi i parave si shumë terma të tjerë është futur në fjalorin e përditshëm të politikës pas 2013-ës, ashtu siç u përfshi edhe dekriminalizimi. Nuk kishim diskutuar deri atëherë për kriminelë. Edhe për grushta nëpër cepa korridoresh, po nga ana e kolegëve socialistë, nuk kishim diskutuar ndonjëherë. Edhe për shqiptarë që masivisht largohen, për shkolla që mbyllen, për investime publike që mungojnë, për koncesione, borxhin 100 % të PPB-së nuk kishim diskutuar ndonjëherë”, tha ajo.

Tabaku shtoi se “sot kemi të bëjmë me një realitet të ri. Duhet të flasim për këtë realitet të ri. Pastrimi i parave sot është njolla e zezë e turpit që ka vendosur qeveria mbi imazhin e Shqipërisë. E përfshiu Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave, e përfshin atë në çdo renditje ndërkombëtare nga Instituti i Basel-it deri tek raporti i DASH dhe që ka etiketuar tre sektorë: turizmi, ndërtimi, lojërat e fatit. Pastrimi i parave është zyrtar. DASH shkon edhe më larg. Thotë se edhe me fonde publike, me koncesione, me PPP, pastrohen pará. Pjesa e investimit e atyre që janë persona jopublikë, investitorët privatë e kanë të gjithën pjesën e tyre për të pastruar pará”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.