NIKOZIA – Papa Françesku: Më dhemb ndarja e Qipros

NIKOZIA, 2 dhjetor /ATSH-DPA/ – Gjatë një vizite zyrtare treditore në Qipro, papa Françesku shprehu solidaritetin e tij me të gjithë qipriotët për ndarjen e ishullit duke e quajtur ndarjen e gjatë të tij “plagën që e lëndon më shumë vendin”.

Në një takim me presidentin qipriot Nikos Anastasiades në fillim të udhëtimit të tij, papa Françesku tha se shpesh mendonte për “dhimbjen e brendshme të atyre që nuk mund të kthehen në shtëpitë dhe vendet e tyre të adhurimit”.

Qiproja është ndarë në veriun turk dhe në jugun grek, që kur Turqia pushtoi ishullin në 1974, me shumë grekë qipriotë të pamundur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në veri.

Fokusi i papës gjatë vizitës së tij është kriza aktuale e refugjatëve.

Të premten në mbrëmje, Françesku pritet të takojë emigrantët në kryeqytetin Nikozia dhe, sipas Anastasiades, ka shprehur synimin e tij për të marrë 50 emigrantë në Romë.

Në një fjalim, Anastasiades e përshkroi planin e Papës si një “akt simbolik” dhe e falënderoi atë për dërgimin e një “mesazhi të fortë”.

Në vitin 2016, papa Françesku çoi 12 emigrantë në Romë me avionin e tij, pasi vizitoi kampin famëkeq të refugjatëve Moria në ishullin grek të Lesbos./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.