COVID-19 – SHBA konfirmon rastin e parë me Omicron

UASHINGTON, 2 dhjetor /ATSH-AA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës identifikuan rastin e parë të variantit të koronavirusit Omicron në shtetin e Kalifornisë.

”Departamentet e shëndetit publik në Kaliforni dhe San Francisko dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) konfirmuan rastin”, tha Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.

Pacienti është një udhëtar që është kthyer më 22 nëntor nga Afrika e Jugut dhe ka rezultuar pozitiv më 29 nëntor.

”Individi është në vetëkarantinim dhe të gjitha kontaktet e ngushta janë kontaktuar dhe ata kanë rezultuar negativë”, tha Fauci në Shtëpinë e Bardhë.

”Personi ishte plotësisht i vaksinuar dhe përjetoi simptoma të buta të cilat po përmirësohen në këtë fazë”, shtoi ai.

Presidenti Joe Biden tha të hënën se ”SHBA-ja do të regjistrojë raste të variantit Omicron herët a vonë, por kjo nuk është arsye për panik”.

Shkencëtarët afrikano-jugorë njoftuan më 24 nëntor se zbuluan variantin Omicron, i cili ka disa mutacione.

Rastet e variantit janë gjetur që atëherë në një numër vendesh perëndimore.

Të premten e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli këtë lloj si ”variant shqetësues”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.