Bashkëqeverisja, Rama: 95% e shërbimeve publike merren online

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në dispozicion të qytetarëve janë 1209 shërbime, që mund të merren nga telefoni ose kompjuteri më i afërt, që janë 95 % e shërbimeve publike”.

Në takimin e parë sensibilizues për Bashkëqeverisjen si mekanizëm i ri detyrues ligjor, të zhvilluar në Elbasan, Rama tha se “sot nisim një cikël takimesh sensibilizuese lidhur me një ligj të ri që është votuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë. Për arsyet e mosarsyes, që tani dihen botërisht, është kthyer mbrapsht nga Presidenti i Republikës, por thjesht kjo vonon për pak javë futjen në fuqi plotësisht të ligjit, sepse ligji do të miratohet ashtu siç është nga Parlamenti”.

“Koncepti i bashkëqeverisjes, platforma shqiperia.al, ndërveprimet me këtë platformë të shumë qytetarëve nuk janë diçka e panjohur për shumëkënd. Një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve është problematika e vjetër e zvarritjeve, ryshfeteve, për të marrë shërbime në administratë. Sot ne kemi të gjitha arsyet të besojmë objektivisht se në mos 100 %, 90 % të gjithë problematikës së këtyre marrëdhënieve kemi në dorë ta zgjidhim me pak vullnet të mirë dhe me gatishmërinë e qytetarëve për të bërë një ndryshim shumë të thjeshtë në këto marrëdhënie duke mos shkuar në zyra për të marrë shërbime, por duke shfrytëzuar të gjithë sistemin e ri të shërbimeve online përmes telefonave ose kompjuterit më të afërt”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “keni parasysh një gjë, që kemi në dispozicionin tuaj 1209 shërbime që mund të merren nga telefoni ose kompjuteri me i afërt që janë 95 % e shërbimeve publike, që do të thotë që nuk është e nevojshme për të shkuar në asnjë zyrë, për të njohur asnjeri, për të pritur në asnjë radhë. Kjo mund të duket çudi deri kur secili mund ta provojë”.

“Sot e-Albania është një emër i njohur pikërisht falë asaj fatkeqësie që na ra, pandemisë, ku një masë e madhe qytetarëve u detyruan të njihen me e-Albania-n nga halli. Kini parasysh që ne, në 2013 e kemi nisur me 1 % të shërbimeve online dhe me vetëm 50 mijë të regjistruar në portalin qeveritar të shërbimeve”, tha Rama.

Kryeministri informoi se deri sot në platformën e-Albania janë 2,3 milionë të regjistruar.

“Në tërësinë e vet, shërbimet sot mund të merren lehtësisht, pa lëvizur nga shtëpia fare. Mjafton të kesh një smartfon, apo një kompjuter dhe të kesh regjistrimin tek portali qeveritar e-Albania, ose mjafton të gjesh një kompjuter pranë shtëpisë për ta marrë këtë shërbim. Është gjëja më e thjeshtë në botë”, tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.