KLP cakton drejtuesit e 3 prokurorive

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku miratoi disa vendime të rëndësishme.

Këshilli vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit të Julian Kristos, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për shkak dorëheqjeje.

Po ashtu, Këshilli vendosi zgjatjen e caktimit të përkohshëm të Elvin Gokajt, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, dhe të Pierind Çukajt, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë, për një periudhë tremujore nga hyrja në fuqi e vendimit.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të caktojë Arben Nikën, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin. Konkretisht, Arben Nika do të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, nga data 2 dhjetor 2021 deri më 1 dhjetor 2024.

Këshilli vendosi miratimin e lejes së papaguar për magjistratin Valentin Preçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të magjistrates Ida Ahmetlli, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për një periudhë njëvjeçare.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.