TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u takua me përfaqësueset e Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (IDEA), Tuija Brax dhe Blerta Hoxha.
Qëllimi i takimit ishte mundësia e assicencës së IDEA International për KQZ në fushën e dixhitalizimit/IT dhe transparencës së financimit të partive politike duke propozuar një sistem online të raportimit të financave.
Gjatë bashkëbisedimit theks i veçantë u vu tek identifikimi i shpenzimeve për fushatat online të bëra në mënyrë të drejtpërdrejtë nga subjektet zgjedhore, palët e treta dhe ndërhyrjes së huaj në proceset zgjedhore.
Përfaqësuesit e IDEA vlerësuan maksimalisht punën e KQZ-së jo vetëm për procesin zgjedhor por edhe në nismën e ndërmarrë për digjitalizimin e të gjitha proceseve. IDEA International ofroi asistencën e saj në realizimin e këtij procesi. Gjithashtu, mbështetje u ofrua edhe për sa i përket votës së emigrantëve si në ekspertizë por edhe në praktikat më të mira.
U dakordësua që brenda muajit dhjetor, IDEA do të finalizojë një punë kërkimore mbi të gjitha mënyrat e votimit, përfshirë dhe votimin nga jashtë, e cila do të prezantohet në aktivitetin që do të organizohet për këtë qëllim.
/a.a/r.e/






















