Veteranët e Shqipërisë e Kosovës festojnë në fushë

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Kjo e diel ka qenë mjaft e veçantë, jo vetëm se shënon 109 vite pavarësi për shtetin shqiptar, por edhe për shkak se në qytetin e Durrësit u luajt një tjetër vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo ndeshje u zhvillua mes veteranëve shqiptarë dhe veteranëve të Kosovës, duke përkujtuar 28 nëntorin, si dita kur u ngrit flamuri shqiptarë në Vlorë dhe Shqipëria u shpall e pavarur.

Të pranishëm ishin edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Përfaqësuesja e veteranëve të Shqipërisë, që kishte në rolin e trajnerin Sulejman Memën, e nisi ndeshjen me këtë formacion: Ilir Bozhiqi, Hysen Zmijani, Alpin Gallo, Armend Dallku, Ardian Mema, Ilir Lame, Ilir Alliu, Agustin Kola, Fatbardh Jera, Migen Memelli dhe Roland Iliadhi.

Gjatë ndeshjes u aktiviuan edhe Luan Pinari, Fjodor Xhafa, Blendi Nallbani, Suad Lici, Bajram Fraholli, , Gilman Lika, Endri Vrapi dhe Elvis Sina.

Ndërsa trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Bujar Guta zgjodhi ta nisë ndeshjen me këtë 11-ësh: Naser Prapashtica, Isa Sadriu, Arsim Abazi, Hysni Gjinovci, Sylejman Selimi, Sheremet Isufi, Muhamet Dragusha, Lulëzim Berisha, Synaj Keqi, Muharrem Sahiti dhe Bakir Burri.

U aktivizuan edhe Luan Tabaku, Sami Gashi, Xhavit Mehmeti, Naim Kodraliu, Ilir Izmaku, Fatmir Namani, Sherif Topalli, Jeton Osmani, Tomë Lleshi, Enes Mustafa, Adil Vokrri dhe Bekim Nura.

Miqësorja, e treta për këtë vit e që u luajt në kompleksin “Olympic Park” në Durrës, u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, ndërsa nga pika e penalltive u treguan më të saktë futbollistët e Kosovës, duke fituar me rezultatin 11-10. Ndeshja duroi mjaft emocione dhe momente të bukura, ndërsa pas përfundimit ishte Presidenti Duka dhe presidenti i FFK-së, Ademi që i dorëzuan përfaqësueses së Kosovës trofeun e fituesit, që në mënyrë simbolike është quajtur “Kupa 28 nëntori”.

Presidenti Duka uroi të gjithë shqiptarët me rastin e festës së 28 nëntorit, teksa vlerësoi këtë traditë të shkëlqyer midis dy federatave tona.

“Do të doja t’i uroja të gjithë ditën më të rëndësishme të gjithë gjithë historisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin. Këto ndeshje janë kthyer në traditë mes dy komuniteteve sportive. Do të doja shumë që ky 28 Nëntor të na gjente me një aktivitet akoma më të madh në një Kupë të premtuar mes të gjithë trojeve shqiptare, por dihet që për arsye të pandemisë, projekti i madh i nisur për një kupë mbarëshqiptare nuk arriti të finalizohej dhe uroj të vijë kjo ditë sa më shpejt dhe të kemi një organizim me më shumë numër futbollistësh dhe më shumë pjesëmarrje nga të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet. Edhe njëherë, uroj kryesisht komunitetin sportiv futbollistik dhe të gjithë shqiptarët, Gëzuar festën e 28 Nëntorit”- tha Duka.

Nga ana tij, presidenti Ademi falënderoi FSHF-në për këtë bashkëpunim dhe gjithashtu uroi të gjithë komunitetin sportiv gëzuar Ditën e Pavarësisë.

“Jo rastësisht sot Shqipëria dhe Kosova luajnë me këto ngjyra, Shqipëria me të kuqe dhe Kosova me të zeza, që të dyja bashkë të bëjnë ngjyrat e flamurit. Si gjithmonë ne do ta urojmë këtë festë, sidomos ne nga Kosova e kemi shumë përzemër. Flamuri për ne është shumë domethënës për faktin që na ka mbajtur të gjallë dhe na ka mbajtur të mos asimilohemi në vitet më të hershme kur kemi qenë në represionin e shumë popujve dhe shteteve të tjera. Me ftesën e FSHF-së dhe Presidentit Duka kemi ardhur këtu që ta festojmë këtë festë. Unë uroj që kjo festë të vazhdojë dhe të vazhdojë si e tha Presidenti Duka me të gjithë shqiptarët dhe me ekipet më të mira në formatin më të mirë të mundshëm. I uroj të gjithë futbollistëve në këtë rast dhe të gjithë shqiptarëve festën e Flamurit dhe shpresoj shumë që në një ditë jo të largët, ky flamur dhe kjo festë do të jetë në të gjithë vendin dhe trojet shqiptare“ – tha Ademi.

Shqipëri – Kosovë 1-1 (10-11 me penallti)

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.