Ballina Aktualitet

Meta: Procesi i Berlinit, mundësi e shkëlqyer për rritjen e bashkëpunimit rajonal

TIRANË 25 nëntor /ATSH-I.Vata/ Në kuadër të vizitës së Tij të punës në Kosovë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar në një takim me kryetarin i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Meta i shprehu Konjufcën vlerësimet për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës, duke vlerësuar në veçanti proceset e fundit zgjedhore, si një shembull i shkëlqyer i konsolidimit të institucioneve, shtetit ligjor, nivelit të demokratizimit dhe vetëdijesimit të mbarë shoqërisë.

Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e thellimit dhe forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve tona, duke evidentuar rëndësinë e konkretizimit të të gjitha angazhimeve ndërqeveritare mbi heqjen e barrierave ekonomike dhe tregtare ndërmjet nesh, nëpërmjet nismave konkrete ligjore.

Gjatë takimit me të Meta nënvizoi nevojën imediate për konsensus politik të brendshëm dhe një platforme gjithëpërfshirëse për vijimin e dialogut me Serbinë, në bashkëpunim shumë më të ngushtë me partnerët tanë strategjikë të angazhuar për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

Presidenti Meta dhe Kryeparlamentari Konjufca ndanë të njëjtin vlerësim për domosdoshmërinë e vijimit të “Procesit të Berlinit”, si nismë gjithëpërfshirëse, efikase dhe që ka dhënë rezultate konkrete, përkundrejt “Ballkanit të Hapur”, që rezulton një projekt përçarës dhe përjashtues.

Kreu i Shtetit theksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që urojmë të ndodhë sa më parë.

Meta: Procesi i Berlinit, mundësi e shkëlqyer për rritjen e bashkëpunimit rajonal

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar gjithashtu një takim me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Presidenti Meta, thekson se vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme.

“Ndamë urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe nënvizuam rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, në dobi të qytetarëve tanë. Në këtë kuadër, vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe me impakt zhvillues për tërë rajonin”, shprehet ai.

Meta e ka konsideruar procesin e Berlinit si një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal.

“Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, si element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, theksova se ‘Procesi i Berlinit’ është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane”, shprehet Meta.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKPK shkarkon nga detyra gjyqtarin, Rexhep Karaj
Artikulli tjetërNgritja e flamurit në Elbasan më 25 Nëntor nga Aqif pashë Elbasani