KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin, Rexhep Karaj

TIRANË 25 nëntor /ATSH-I.Vata/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtarin e gjykatës Mat, Rexhep Karaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  zhvilloi sot një seancë për shpalljen e vendimit për subjektin e rivlerësimit Rexhep Karaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat.

Rexhep Karaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat u përball me Vetting-un më 24 nëntor 2021 për tre kriteret e vlerësimit: atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional.

Trupa Gjykuese e përbërë nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli, Roland Ilia pasi analizoi provat dhe faktet vendosi shkarkimin nga detyra të Rexhep Karajit, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat.

Rexhep Karaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Matit. Paralelisht me procesin e vetingut, Karaj është aktualisht në një hetim disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.