Dita Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Institucionet publike, shoqëria civile, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe partnerë ndërkombëtarë, biznese dhe media janë bashkuar sot për çeljen e fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore nën sloganin “Bëje Botën Portokalli: Të ndalim dhunën ndaj grave TANI!”, në kuadrin e fushatës globale UNiTE, për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.

Me pasojat e pandemisë së COVID-19 që solli efekte të pafavorshme në jetët e njerëzve, si në sferën publike ashtu edhe në atë private dhe me normat tradicionale që kërcënojnë barazinë gjinore dhe justifikojnë dhunën e vazhdueshme me bazë gjinore, fushata e këtij viti bën thirrje për strategji dhe investime gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe eliminimin e Dhunës Ndaj Grave dhe Vajzave (DHNGV) në vende publike dhe private, duke i dhënë më shumë përparësi grupeve të grave dhe vajzave të pafavorizuara.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Grave, UN Women bën thirrje për një përkushtim të ripërtërirë ndaj veprimeve të bashkërenduara. Rreth 1 në 2 gra dhe vajza shqiptare të moshës 15 vjeç e sipër kanë përjetuar të paktën një formë dhune, si dhuna nga partneri intim, dhuna nga partneri gjatë periudhës së njohjes, dhuna nga jo-partnerët, ngacmimi seksual dhe/ose përndjekja, sipas anketimit të fundit të INSTAT.

Dhuna psikologjike, përfshirë qëndrimet apo sjelljet kontrolluese, raportohen shumë rrallë, por ato janë midis llojeve më të zakonshme të dhunës që gratë përjetojnë: 41 % e grave e kanë përjetuar atë përgjatë jetës, dhe 25 % e përjetojnë aktualisht (gjatë 12 muajve të fundit përpara anketimit).

Këto shifra nuk përfshijnë impaktin e pandemisë së COVID-19: vëzhgimet e UN Women e të partnerëve, duke përdorur të dhëna adminstrative nga policia, linjat e këshillimit për rastet e dhunës si dhe ofrues të tjerë të shërbimeve, treguan se pandemia ka sjellë rrezik të shtuar për gratë e vajzat, ka intensifikuar disa prej formave ekzisuese të dhunës ndaj tyre si dhe ka kufizuar qasjen e grave e vajzave që përjetojnë dhunë në shërbime.

Këto gjetje konfimohen nga të dhënat e anketimit të fundit të realizuar nga UN Women mbi impaktin e COVID-19 tek mirëqenia dhe siguria e grave. Sipas studimit, 79 % e grave të intervistuara në Shqipëri pohuan se dhuna ndaj tyre është përkeqësuar që prej fillimit të pandemisë për sa i përket përjetimit të abuzimit fizik dhe verbal nga partneri.

Raporti thekson se 51 % e grave ndihen të pasigurta në shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave administrative, nga janari deri në tetor të 2021-it, u lëshuan 4679 urdhra mbrojtje dhe 1356 raste u çuan për ndjekje penale në prokurori.

“Dhuna ndaj grave nuk njeh kufij gjeografikë, kulturorë apo komunitarë. Gratë në Shqipëri e përjetojnë këtë, shpesh herë prej bashkëshortëve apo partnerëve të tyre. Sot, ne themi ‘Mjaft’! Dhe ju bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve – grave, burrave, vajzave dhe djemve – të bashkohen dhe të thonë ‘Ndalni Dhunën ndaj Grave Tani”, u shpreh Michele Ribotta, përfaqësues i UN Women në Shqipëri.

Gjatë fushatës “16 Ditë Aktivizëm” (nga 25 nëntori deri në 10 dhjetor), UN Women, agjencitë e OKB-së simotra, organizatat e shoqërisë civile, sektori privat dhe institucionet publike do të organizojnë mbi 260 veprimtari në gjithë Shqipërinë për të treguar vëmendjen e duhur ndaj “epidemisë së fshehur” të dhunës ndaj grave e vajzave.

Një autobus do të udhëtojë në gjithë vendin me synim trajnimin e vajzave të shkollave të mesme si të vetëmbrohen dhe si të përballen me abuzimin verbal, fizik dhe emocional. Te pedonalja në Tiranë do të çelet një ekspozitë për autonominë e trupit me punime krijuese të artistëve të rinj (më parë e prezantuar në Korçë dhe Shkodër).

Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 10 dhjetor. Një fushatë në mediet sociale do të adresojë normalizimin e sjelljeve abuzive përmes një eksperimenti social dhe diskutimeve online.

Veprimtaritë do të organizohen në të gjitha bashkitë e vendit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga komuniteti, të rinjve e të rejave, aktivistëve dhe aktorëve të interesuar për të diskutuar, ndarë ide dhe promovuar ndryshimin e sjelljeve.

Disa nga godinat historike do të ndriçohen me drita portokalli, në shenjë solidariteti me fushatën globale. Këtu përfshihen Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe Kisha e Kuvendit në Rubik, gjithashtu edhe Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë.

Kësaj fushate i është bashkuar edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila në një reagim në Twitter ka theksuar se “në 25 nëntor ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha gratë kudo”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.