TIRANË 24 nëntor /ATSH-I.Vata/ Nënkryetarja e PD-së dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku, u takua sot me ambasadoren e Suedisë në Shqipëri Elsa Hastad. Diskutimi mes palëve u fokusua në procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen e BE.
Një shqetësim në rritje për Tabakun ishte, sipas saj, mungesa e vëmendjes që qeveria Rama ka pasur ndaj procesit të integrimit.
Kryetarja e Komisionit të Integrimit vuri në dijeni ambasadoren se ajo deri më tani ka parë një neglizhencë të qeverisë në fushën e integrimit sidomos në politikat e kësaj të fundit.
Ajo vuri theksin në krijimin e tre agjencive që centralizojnë pushtetin e kryeministrit dhe e kthejnë kryeministrinë në një Kullë Kontrolli. Shqetësim për Tabakun ishte dhe fakti i emërimit të Ilir Beqjes në krye të Agjencisë së manaxhimit dhe kontrollit të donacioneve të BE dhe vendeve partnere.
Një vëmendje shumë të madhe në takim pati edhe çështja e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Sipas Tabakut, qeveria shqiptare ka neglizhuar me vetëdije dëmin në mjedis dhe faunë që ky projekt do të sjellë.
Nga ana e saj, ambasadorja Hastad shprehu kënaqësinë për takimin me kryetaren e komisionit të integrimit dhe premtoi se do të ketë një vëmendje gjithnjë e më të madhe nga ana e saj për çështjet e trajtuara në takimin mes tyre.
Në takim u fol edhe më tej për bashkëpunimin mes komisionit të Integrimit dhe Ambasadës së Suedisë në Shqipëri në çështje themelore si të drejtat e njeriut, ambientit dhe centralizimit të pushtetit. /j.p/













