Vetingu në politikë, Kraja: SPAK nuk mund të përfshihet në këtë çështje

TIRANË 24 nëntor /ATSH-I.Vata/ Në seancën dëgjimore në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend, kreu i SPAK Arben Kraja u shpreh se institucioni që ai drejton ka mbingarkesë që të merret edhe me vetingun në politikë, gjë që shfokuson edhe objektin e punës së tij.

Kraja deklaroi se është pro çdo iniciative që lufton korrupsionin, por tha se vetingun në politikë nuk mund ta bëjë SPAK. Ai vuri në dukje se parimisht është kundër përfshirjes së SPAK-ut në vetingun në politikë.

“Jemi pro çdo iniciative që lufton korrupsionin, por jo luftë në një strukturë të vetme, gjithë shoqëria duhet ta luftojë këtë problematikë. Është një procedurë administrative që përfshin rreth 200 subjekte që do t’i nënshtrohen këtij kontrolli. Është një procedurë administrative që do kohën e saj dhe në këto kusht duhet ta vlerësojmë në vijimësi. Ligji, kushtetuta parashikon që prokurorët përfaqësojnë ndjekjen penale dhe përfaqësojnë akuzën në gjykatë, kjo është detyra themelore e prokurorisë por kryen detyra të përcaktuara edhe me ligj. Në aspektin e dytë formalisht është një mundësi për t’i ngarkuar prokurorisë detyrat e tjera. Por ajo që qëndron është se detyrat e tjera nuk duhet të bllokojnë thelbin e punës së prokurorisë. Propozimet e PD parashikojnë krijimin e një strukture në SPAK që do t’i shtojë një volum pune prokurorisë së posaçme. Ne kemi kaluar një eksperiencë negative në vitin e parë të punës sonë për të ashtuquajturën OFL, ishte një detyrë e ngarkuar me ligj që na shfokusoi nga objekti i punës, kështu që unë do e konsideroja të papërshtatshme përfshirjen e SPAK në këtë çështje. Kjo mënyrë e propozuar nga PD, mund të krijojë probleme për njëanshmëri apo vlerësim të pasaktë. Krijon problematika në objektivitetin e një vendimmarrje”, tha Kraja.

Në përgjigje të argumenteve të kreut të SPAK, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh se amendamentet e PD-së kanë marrë parasysh edhe mbingarkesën me shtimin e prokurorëve, si dhe buxhetit për këtë institucion.

Kraja argumentoi se, “pjesa e Ligjit Antimafia hyn tek detyrat e caktuara me ligj, sepse nuk është ndjekje penale kundër individit, por kundër pronës”.

“Nga pikëpamja e komisionit të vetingut për verifikimin e punonjësve tanë, është një detyrë që është parashikuar në ligj që na kanë mbingarkuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Komisioni është me 3 vetë, dy prokurorë dhe një gjyqtar, siç e parashikon procedura, i cili do të verifikojë të gjithë stafin administrativ të prokurorive dhe të gjykatave që do të verifikojë të gjithë prurjet e reja që do të vijnë në institucion përfshirë dhe BKH. Dhe është një procedurë e jashtëzakonshme. Pjesa e monitorimit të vazhdueshëm ka disa problematika, por është një numër i madh subjektesh që duhen monitoruar”, vijoi Kraja.

“Ajo që unë thashë është se ne po mbingarkohemi me punë të tjera duke mos u përqendruar tek ushtrimi i ndjekjes penale. Ky ishte thelbi që desha të prezantoj tek ju”, tha Kraja.

Alibeaj argumentoi se për ta çuar përpara gjithë këtë proces duhen thjesht njerëz.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.