TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bashkë me drejtoreshën për bujqësinë, për Evropën dhe Azinë të Bankës Botërore, si dhe me ekipin e saj, vizituan Shoqatën e Bashkimit Bujqësor (SHBB) Gramës, në Plug të Lushnjës.
“Kjo është një fermë model bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, ku fermerët kultivojnë së bashku në serrë dhe e çojnë prodhimin në qendrat e grumbullimit”, u shpreh Krifca.
Ministrja tha se “po punojmë me donatorët për të mundësuar forma të reja financimi në hallka të ndryshme të zinxhirit, për t’i shtuar më tej vlerën prodhimit tonë vendas”.
Më tej, gjatë kësaj vizite, Krifca u ul në një bisedë me fermerë të tjerë të zonës, për të diskutuar mbi ecurinë e prodhimit, sezonin jo të lehtë dhe problematikat e tyre.
“Diskutuam për të gjitha proceset e punës, përdorimin e farave dhe fidanëve, trajtimin dhe mbrojtjen e bimëve, si dhe grumbullimin dhe shitjen”, u shpreh Krifca. /j.p/





















