TIRANË 23 nëntor /ATSH-I.Vata/ Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka rrëzuar kallëzimin e Presidentit të Republikës për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
GJKKO vendosi sot pushimin e çështjen ndaj ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, kallëzuar nga Ilir Meta.
Në një prononcim për mediet, Dvorani tha se nuk ka përplasje me asnjë institucion dhe se është thjesht gjyqtar.
“Nuk mendoj që më shkon mua të bëj interpretime. Kush mendon se ka përplasje i ka për vete, unë nuk kam përplasje me askënd”, tha ai.
Në lidhje me pushimin e çështjes, Dvorani u shpreh se “është e drejta e Metës si çdo individ tjetër të këtë gjykimin dhe interpretimin e tij mbi fakte të caktuara. Unë nuk jam kurrkush të gjykoj dhe të paragjykoj atë apo kushdoqoftë. Janë institucionet ato që vendosin përfundimisht. Koha e gjyqeve popullore në Shqipëri i përket një regjimi të kaluar. Gjyqet nuk bëhen nëpër medie”.
Meta e bëri kallëzimin e tij në SPAK më 18 shkurt të 2020-ës, ndërsa e ka akuzuar Dvoranin si shkelës të ligjit dhe të Kushtetutës.
Me nisjen e procedurave të Vetingut, në fund të korrikut të vitit 2019, Dvorani mbeti anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë. Përveç vijimit të mandatit si anëtar i kësaj gjykate, Dvorani do të zgjidhej edhe drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Përplasja mes Presidentit dhe Parlamentit për procedurat e emërimit të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, do të bënte që Ilir Meta të akuzonte Dvoranin për shkelje të procedurave ligjore duke e konsideruar dhe “kamikaz politik”, pasi sipas tij veprimet ishin të njëanshme dhe në favor të mazhorancës qeverisëse.
Për këtë çështje, KLGJ fillimisht i kërkoi opinion EURALIUS dhe OPDAT duke mos qenë në gjendje të merrte një vendim përfundimtar. Vendimi për shkarkimin e Dvoranit u mor më 11 qershor me 6 vota pro dhe 4 kundër, pas përgjigjes së EURALIUS dhe OPDAT se nuk mund të jepnin opinion për këtë çështje, por KLGJ duhet të vendosë vetë.
Nga ana e tij, përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj u shpreh se vendimi i dhënë është i padrejtë.
“Deri më tani Presidenti i Republikës ka respektuar sekretin e Prokurorisë. Kërkesa për pushimin e kësaj çështje na është njoftuar në fillim të nëntorit. GJKKO vendosi pushimin, por ne kërkuam mosakordim. Gjykata na njoftoi se vendimi i zbardhur do të bëhet me dije dhe tani presim çdo të ndodhë. Unë di ta ruaj sekretin. Janë parashtruar të gjitha argumentet. Cilat nga aktet që Presidenti ka dorëzuar në prokurori nuk është publike? Të gjitha janë transparente. Do e ankimojmë vendimin. Është pushuar vendimi për çështjen penale të vitit 2020, ku ishin shumë të pandehur. Presim të zbardhet vendimi i gjykatës, ne do të bëjmë atë që na lejon ligji”, tha Dervishaj.
/a.a/r.e/























