Meta uron presidentin bullgar për rizgjedhjen

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta uroi sot presidentin bullgar, Rumen Radev, pas rizgjedhjes së tij në këtë post.

“Shpreh besimin se gjatë mandatit Tuaj të ri, marrëdhëniet shumë miqësore e tradicionale të bashkëpunimit, dypalësh dhe shumëpalësh, midis dy vendeve e dy popujve tanë miq do të zhvillohen e pasurohen edhe më tej në të ardhmen”, shprehet Meta në mesazhin e tij.

Meta vlerëson se adresimi i sfidave të përbashkëta kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë.

”Sot, si asnjëherë tjetër, adresimi i sfidave me të cilat shoqëritë tona po përballen, kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes vendeve tona në rajonin e Evropës dhe më gjerë, sidomos në kuadër të partneritetin të NATO-s”, shprehet Presidenti.

Ai e falendroi edhe për për mbështetjen, që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen, që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, e njëkohësisht të shpreh bindjen se rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë do të nxisë edhe më shumë mbështetjen bullgare për vendet kandidate të rajonit tonë në këtë proces të rëndësishëm, si në planin strategjik, ashtu edhe në atë të stabilitetit rajonal”, deklaroi Presidenti. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.