TIRANË, 20 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka zhvilluar sot një takim me rinjtë të Akademisë Rinore në Pogradec.
Xhaçka shprehet se Shqipëria ka një nga popullsitë më të rejat në Evropë dhe rinia është një aset për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
“Në Pogradec me të rinjtë energjikë të Akademisë Rinore, në një bashkëbisedim interesant mbi diplomacinë dhe brezin e ri. Kemi një nga popullsitë nga më të rejat në Evropë. Dhe ky është një aset por njëherësh edhe përgjegjësi e madhe. Sepse të investosh tek rinia do të thotë të shfrytëzosh këtë aset për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, shprehet ajo.
Xhaçka shton se në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme po punojmë që të hapim rrugë për të rinj e të reja.
“Jo vetëm që po skanojmë çdo të ri e të re në MEPJ për të parë se ku janë talentet se ku i kanë pikat e tyre të forta, si mund t’i mbështesim e çojmë përpara, por kemi nisur tashmë të punojmë edhe për ringritjen dhe ridimensionimin e Akademisë Diplomatike, e cila do të shërbejë si një qendër për formimin e diplomatëve të rinj”, shprehet Xhaçka. /a.a/






















