Ballina Flash

Qendra inovacioni në çdo bashki – qendër qarku

TIRANË 19 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, brenda këtij mandati do të ketë qendra inovacioni në çdo bashki, qendër qarku.

Duke folur për buxhetin 2022 për Rininë dhe Fëmijët, Rama shtoi se, “nga ana tjetër për ne është absolutisht e qartë nëse duam të kemi në Shqipëri një treg që të ofrojë punë të shumëmirëpaguar për të rinjtë dhe një fuqi të re në funksion të fuqizimit ekonomik dhe social të vendit, duhet të investojmë shumë në njohuritë kompjuterike teknologjike të më të rinjve, duke filluar nga klasa e parë. Është fjala për një gjuhë të re që s’është anglisht, që s’është frëngjisht, s’është gjermanisht, por është një gjuhë që do bashkojë nesër gjithë botën, ndërkohë që sot bashkon një numër shumë të konsiderueshëm njerëzish që punojnë aktualisht në një treg i cili nuk ka kufij. Unë kam pasur fatin ta njoh njërën prej tyre në takimin që bëmë në Durrës, banon në zonë rurale të Durrësit dhe prej dy vitesh punon në Amerikë dhe në Poloni pa lëvizur nga shtëpia. Nuk e kam pyetur sa paguhet, por paguhet më mirë se mësuesit që ka në shkollë”.

“Për ta bërë këtë të ardhme të tashme, siç e ka bërë vajza pa asnjë ndihmë, dhe për ta shtrirë kapacitetin e të rinjve në shumë më tepër sesa në grupin e atyre që këtë punë e bëjnë thjesht dhe vetëm me ambicien, talentin dhe vullnetin e tyre, na duhet që të bëhemi aleatët tuaj, partnerët tuaj në një rrugë ku hap pas hapi të keni hapësirat dhe mundësitë për të përvetësuar këtë gjuhë. Kjo do të thotë që nga një anë sistemi i të mësuarit të teknologjisë përmes mësimit të informatikës në shkollë do të ngrihet në një nivel të ri, dhe këtë do ta bëjmë me siguri duke ndryshuar dhe kurrikulën e mësimit të informatikës për të cilën kemi filluar punën, dhe nga ana tjetër për t’ju dhënë atyre që janë më të prirur sesa pjesa tjetër speciale një territor ku mund të marrin mësime intensive dhe falë të cilës mund të përfshihen edhe pa e mbaruar akoma shkollën në tregun global të punës online”, theksoi Rama.

Rama shtoi se, ka filluar një eksperiencë e parë, e cila tregon shumë qartë që është e pafundme mundësia në këtë fushë, por është njëkohësisht e destinuar të rritet në mënyrë eksponenciale kërkesa.

“Është eksperienca me qendrën që është hapur te stadiumi “Arena Kombëtare” që do të zgjerohet me Piramidën, dhe ndërkohë ne kemi filluar punën bashkë me Borën dhe me drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Teknologjisë të AKSHI-t për të pasur edhe dy qendra të tjera ku të shtrihet eksperienca e këtyre qendrave, një në Vlorë dhe një në dy ndër qytetet që do të jetë më shpejt gati, Durrësi ose Shkodra. Ambicia është që brenda këtij mandati të kemi qendra të tilla në çdo bashki, qendër qarku normalisht. Por nuk mbaron këtu, sepse këto qendra kryejnë një funksion të caktuar, ndërkohë që pjesa tjetër janë kurset intensive të kodimit për të cilat duam të angazhojmë aktorë të certifikuar në treg me certifikata ndërkombëtare të cilët të jenë në dispozicion dhe të hyjnë në një ndërveprim intensiv me të gjithë vajzat dhe djemtë e shkollave që kanë dëshirë që të thellojnë njohuritë e tyre dhe të kontribuojnë në këtë fushë. Këtu buxheti i vënë në dispozicion është i konsiderueshëm vetëm për fazën e parë, por ne jemi të vetëdijshëm që do të kërkojë një buxhet në rritje eksponenciale, por ama çfarë do marrim mbrapa dhe jo duke pritur shumë vite, por duke filluar nga 2-3 vite do jetë diçka fantastike për ekonominë kombëtare, por dhe ekonominë familjare të gjithësecilit që do të përfshihet në këtë proces”, tha ai.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Lagarde : Nuk ka shtrëngim të parakohshëm monetar për të luftuar inflacionin
Artikulli tjetërTURQI – Gjyq për ata që parashikuan krizën e monedhës vendase në internet